Juventusi duket se ka bërë një goditje të zgjuar në merkato. Ishte përfolur prej kohësh që bardhezinjtë kanë marrë talentin e Flamengos, Uesli dhe tashmë duket se gjithçka është konfirmuar.
Ka qenë vetë 19-vjeçari, i cili me një foto të postuar në llogarinë e tij në Instagram, ka shuar dyshimet. Ai është një lojtar i Juventusit tashmë dhe ka kaluar në Torino me parametra zero.
“Një histori e re që Zoti ka për mua”, ka shkruar braziliani në përshkrimin e fotos. Uesli luan si mbrojtës i krahut të djathtë dhe dy vite më parë u shpall kampion Bote me Brazilin U-17.