Foden, djaloshi i rritur me “Blue Moon” që Guardiola synon ta kthejë në legjendë

Çdo fëmijë rritet duke pasur ëndrra dhe çdokujt nga ne mund t’i ketë ndodhur shpesh që në fëmijërinë e tij të jetë pyetur se çfarë do të bëhet në të ardhmen. Në qoftë se sot krahasohet dëshira që kishe në fëmijëri me atë çfarë po bën tani, besoj zor të përputhet.

Gjithsesi, janë disa raste të rralla, kur ëndrrat preken nga ndonjë “shkop magjik” dhe kthehen në realitet. Një rast është shembulli i djaloshit Fil Foden, 18-vjeçari i lindur në Stockport, i cili një ditë më parë rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2024 me ekipin që ëndërronte që i vogël të luante, pikërisht me Mançester Sitin.

Dikur klubi i Sitit nuk kishte emrin dhe fuqinë që zotëron tashmë, por sidoqoftë kishte një mbështetje të gjerë dhe një nga tifozët më të zjarrtë, ishte i vogli Foden, i cili ishte në stadium thuajse gjithmonë për të kënduar himnin e klubit, që quhet “Blue Moon”.

Në moshën 8-vjeçare u bashkua për herë të parë me ekipin e tij të zemrës, teksa u regjistrua në akademinë e “Citizens”. Plot 8 vite më pas, në moshën 16-vjeçare djaloshi nga Stockporti nis të jetojë ëndrrën e tij të fëmijërisë. Ishte 6 dhjetori i vitit 2016, kur Pep Guardiola vendosi ta thërriste për të qenë pjesë e të grumbulluarve për sfidën ndaj Sëlltikut në “UEFA Champions League”.

Ndonëse nuk arriti të aktivizohej për asnjë minutë, Guardiola pas sfidës do të shprehej për Fodenin me këto fjalë: “Është e rrezikshme të thuash gjëra të mira për lojtarët e rinj, pasi ata janë akoma të vegjël dhe kanë nevojë të rriten dhe të mësojnë shumë, shumë gjëra. Por, ne kemi shumë besim dhe duam ta ndihmojmë, sepse besojmë që ky djalë ka potencial edhe pse nuk është i fuqishëm, apo i gjatë.”

 

Sot, pas dy vitesh Foden, numëron disa ndeshje me “Citizens”, ku vlen për t’u veçuar paraqitja e bërë në Superkupën e Anglisë, ose siç quhet ndryshe “Community Shield”, teksa luajti si titullar, madje asistoi për një nga golat. Golin e parë me fanellën e tij të zemrës e shënoi fundin e shtatorit të këtij viti, në një fitore 0-3 ndaj Oksford.

Një ditë më parë, firmosi kontratën e re, që do ta mbajë në “Etihad” deri në vitin 2024. Siti i kohëve moderne mbase ka vuajtur pak për ndonjë lojtar “alla” Xherrard, Lampard, apo Maldini e Zaneti. Ndoshta Mançester Siti modern e ka gjetur lojtarin që do ta këndojë përjetë “Blue Moon”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online