Flet menaxheri i Hysajt: Rinovimi në të mirë të klubit, Ançeloti ka sjellë… liri

Hysaj e ka nisur mbarë sezonin e ri dhe ardhja e Ançelotit në stol ka rritur entuziazmin në kampin napolitan. Fitore të rëndësishme me Lacion dhe Milanin me ekipin që përveç lojës së bukur, tregon shumë karakter dhe dëshirë duke rikthyer rezultatin në të dyja fitoret.

Hysaj ishte ndër lojtarët që u përfolën në merkato, por shkodrani vendosi të qëndrojë te Napoli. Agjenti i lojtarit është rikthyer të flasë dhe në një prononcim për “Radio Kiss Kiss”, Mario Xhufredi, i cili zotëron dhe të drejtat ligjore të Mario Ruit, flet për të ardhmen e mbrojtësit shqiptar dhe rinovimin e tij.

“Hysaj dhe Mario Rui janë të etur për të konkuruar dhe me një teknik si Ançeloti, i cili është i ndryshëm nga Sarri, me të cilin ishin mësuar të punonin. Me Sarrin ishin më të përpiktë dhe më të kujdesshëm mbrapa, ndërsa Ançeloti ka sjellë liri në fushë, por dhe në psikologjinë e lojtarëve.”

Menaxheri ndalet dhe te situata e mbrojtësit shkodran dhe rinovimi i tij me klubin. “Diskutuam për rinovimin e Hysajt në maj, por me largimin e Sarrit, ekzistonte mundësia e kalimit të Hysajt te Çelsi dhe ndalëm bisedimet. Pritëm deri në fundin e merkatos dhe kemi lënë një takim për në shtator. Elseidi është i gatshëm për të folur dhe ka besuar gjithmonë te Napoli.

Ai nuk mbeti i zhgënjyer dhe ka gjithmonë dëshirën për të dhënë më shumë për skuadrën. Rinovimi i intereson Napolit më shumë, sepse kontrata i skadon në vitin 2021 dhe në fund të sezonit do të mbeten dhe dy vite kontratë. Për një lojtar 24-vjeçar, ndër më të mirët në Europë në rolin e tij, nuk do të ishte pozitive për Napolin ta kishte në fundin e kontratës. Presidenti është i gatshëm të diskutojmë dhe për klauzolën dhe kemi biseduar për këtë fakt”, përfundon agjenti i mbrojtësit të kombëtares.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *