Frenki De Jong është një nga mesfushorët më premtues në botë. Barcelona veproi shpejt, fitoi konkurrencën dhe pagoi 75 milionë euro (me bonuse shkojnë në 86 milionë) te Ajaksi, duke siguruar shërbimet e holandezit të talentuar.
21-vjeçari i Ajaksit do të transferohet në Katalunjë në fund të sezonit për të nisur aventurën e re me gjigantin spanjoll deri në vitin 2024, ndërsa rroga e tij do të jetë 8 milionë euro në sezon.
E ëma e lojtarit, Marjon Schuchhard, ka folur për “De Telegraaf”, aty ku zbulon anën humane të djalit të saj. Frenki është një person i qetë, me këmbë në tokë dhe i rritur me dashuri e me vlerat e duhura.
De Jong është një futbollist fantastik, por edhe Frenki është një njeri i tillë. Marjon zbulon dhe një detaj sa i përket modës së fundit. Shumë futbollistë mbushin trupin e tyre me tatuazhe, ndërsa holandezi as që ka ndërmend ta bëjë një të tillë.
DE JONG – “Frenki është një djalë i qetë dhe i zhytur në mendime. Ai është një djalë normal dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Ai nuk merr kurrë vendime për para dhe pa i menduar më parë. Mendohet gjatë për hapin që do të hedhë. Është e rëndësishme të jesh një futbollist i mirë, por edhe më shumë është që të jesh njeri i mirë. Frenki është i qetë dhe modest, kështu e kemi rritur.”
TATUAZHET – “Shumë futbollistë kanë tatuazhe, ndërsa Frenki nuk ka asnjë. Një ditë i thashë që shumica e këtyre pikturave të bukura do duken keq në moshën 80-vjeçare. Ai qeshi dhe m’u përgjigj se nuk kishte qëllim për të bërë tatuazhe.”