Prej muajsh Flamurtari ka paralajmëruar se e ka apeluar në Gjykatën së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, KAS, çështjen e hapur me Ernest Gjokën, në lidhje me pagat e prapambetura nga koha ku trajneri aktual i Kukësit drejtonte Flamurtarin, në vitet 2012-2014. Në tetor 2014 Gjoka u pushua nga puna dhe tashmë pretendon pagesat e prapambetura të dy kontratave: e para, ajo që kishte deri në verën e vitit 2014 me bashkinë, sepse i mbetën disa muaj pa paguar, ndërsa kontrata e dytë ende e pashlyer plotësisht është me administratorin aktual Sinan Idrizi.
Ky i fundit ka çuar në KAS çështjen e parë, pasi pretendon se kontrata mes Gjokës e Bashkisë Vlorë kishte parregullsi juridike dhe nuk i takon klubit të shlyejë borxhin e Gjokës.
Sot klubi kuqezi ka publikuar në faqen e vet zyrtare një njoftim në lidhje me këtë çështje, duke lajmëruar se kanë mbetur vetëm 5 ditë skadimi i afatit për pagesën prej 20.000 Frangash zvicerane, kosto proceduriale në procesin që po zhvillohet në Zvicër, midis Flamurtarit dhe Ernest Gjokës. Në fakt, nuk shpjegohet pse shuma është kaq e madhe, duke ditur se KAS ka tarifa shumë më të ulëta se kaq, por sido që të jetë, ajo që të bën përshtypje është se kostoja e gjyqit në Lozanë del thuajse sa gjysma e detyrimit që Flamurtari i ka Ernest Gjokës.
Sipas klubit kuqezi, procesi dhe detyrimi financiar nuk i takon presidencës aktuale, por institucionit dhe personave përgjegjës, firmosës legalë apo ilegalë. Duke evituar përmendjen e emrave, gjithsesi duket qartë që thirrja i drejtohet bashkisë Vlorë, por edhe Shpëtim Gjikës, si personi që ka firmosur me Ernest Gjokën në emër të klubit para se administratorët aktualë të merrnin frerët e klubit. Flamurtari bën thirrje që këta persona dhe institucione të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të zgjidhin sa më parë situatën, për të mos lejuar ndëshkimin dhe penalizimin me pikë të Flamurtari FC.
Një situatë e ndërlikuar, që po dëmton jashtëzakonisht Flamurtarin, sepse për këtë çështje iu hoqën 6 pikë të arta sezonin e fundit, ndërsa askush nuk po merr përsipër të shlyejë Gjokën, i cili e ka fituar betejën ligjore në Shqipëri dhe tashmë pret të paguhet. Nëse brenda 5 ditësh nuk shlyhen detyrimet në CAS, atëherë çështja digjet dhe Flamurtari nuk do të ketë shpëtim: shlyerje, ose një penalizim i ri në pikë për sezonin e ardhshëm, me pasoja katastrofike, pasi ekzistojnë precedentët dhe tashmë penalizmi mund të shkojë në shumë pikë, për të mos menduar edhe më të keqen, përjashtimin nga kampionati.