Flamurtari fitoi 1-0 kundër Partizanit. Tomislav Bushiç me golin e tij vendosi fatet e takimit, ndërkohë që pas ndeshjes nuk kanë munguar as ngacmimet në rrjetet sociale. Blerim Kotobelli ka lëshuar një mesazh për Jasir Asanin, me të cilin ishte rival në fushë.
“Byrazer, Jasir Asani, mos u mërzit. Futbolli kështu e ka, mbaje kokën lart. Sot e kishe shumë të vështirë, se di pse”, shkruan Kotobelli në llogarinë e tij në “Instagram”. Mbrojtësi i majtë dhe sulmuesi kanë qenë shokë skuadre një vit më parë te Partizani dhe kanë një raport shumë të mirë mes tyre.
POSTIMI I ASANIT FAZËN E PARË – “Në jetë, e aq me tepër në futboll, gjërat ndonjëherë nuk ecin ashtu si ne duam. Në këtë jetë njohim shumë njerëz, që dashje pa dashje na mësojnë shumë dhe krejt papritur vjen një moment që ato që ke mësuar duhet t’i vesh në zbatim. E dija vështirësinë që kam përballë teje, që në stërvitje kur duhej të më mbaje ndonjëherë. Atëherë edhe me lije të ikja, por këtë herë ishte shumë ndryshe. Sot ishim ‘rivalë’ për 90 minuta, pasi në jetë jemi vëllezër gjithmonë. Suksese dhe kokën lart mbaje gjithmonë vëllai im”, shkruante lojtari i Partizanit pas fitores në fazën e parë.
REAGIMI – Nuk ka vonuar reagimi i Jasir Asanit, i cili ka komentuar poshtë postimit të Kotobellit: “Ftohtë në Tiranë, – 9”, duke iu referuar distancës së Flamurtarit nga Partizani.