U duk se kalimi tek ekipi i Nicës do të sillte qetësimin dhe rikthimin e Mario Balotelit. Dy sezonet e para ishin pozitive dhe sulmuesi italian shënoi respektivisht nga 17 dhe 26 gola, ndërsa sezoni aktual është për t’u harruar. Baloteli ka zhvilluar 10 ndeshje me ekipin, ku regjistron vetëm një asist të dhënë.
Kontrata me Nicën skadon në verë dhe presidenti i klubit njoftoi përpara pak kohësh se nuk ka ndërmend t’i ofrojë një rinovim lojtarit. Baloteli “filtroi” gjatë verës me Olimpikun e Marsejës, që tashmë shihet si ekipi i ardhshëm për të.
“L’Equipe” raporton se 28-vjeçari është një preferencë e Zhak Henri Ejrod, presidentit të Marsejës. Baloteli nuk pëlqehet shumë nga Rudi Garsia dhe Andoni Zubizareta, por insistimi dhe këmbëngulja e të parit të klubit ka triumfuar përballë skepticizmit të trajnerit dhe drejtorit sportiv.
Italiani ka një raport të ngrirë me Patrik Vieira, trajnerin e Nicës dhe është pranë zgjidhjes konsensuale të kontratës me Nicën, për të vazhduar karrierën e tij në “Stade Velodrome”.