Xhanluixhi Donaruma është telenovela e madhe e merkatos verore të Milanit, pasi klubi kuqezi po blen lojtarë cilësorë dhe po habit me shpejtësinë e lëvizjes në treg, por ndërkohë nuk po arrin të rinovojë me portierin e talentuar, i konsideruar nga të gjithë si ylli i ardhshëm i futbollit botëror dhe pasuesi i Bufonit.
Vetë Donaruma deklaroi edhe dje se dëshiron të qëndrojë te Milani, por firma nuk ka dhe drejtori i përgjithshëm i Milanit, Marko Fasone, ka shpjeguar ku qëndron problemi, duke folur për Radio 24: “Shpresoj me gjithë zemër ta mbajmë Donarumën, është një djalosh shumë i talentuar. PO mundohemi ta joshim ashtu si bëhet me një femër të bukur, por në këtë rast është edhe dikush në mes dhe që di ta bëjë mirë zanatin e vet… Shpresoj që gjithçka të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme për Milanin”.
Pa ia përmendur emrin, Fasone “thumbon” Mino Raiolën, agjentin e famshëm i cili vazhdon të refuzojë ofertën e Milanit për rinovim deri në vitin 2022 me 4-4,5 milionë euro neto në vit, plus bonuse. Arsyeja? E thjeshtë, ka klube që ofrojnë më shumë, për Donarumën dhe Raiolën.