Pas mbylljes së sezonit 2018-2019, drejtuesit e skuadrës së Erzenit u kanë dhënë pushime futbollistëve deri në fundin e muajit qershor, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe janë treguar aktivë në merkato. Pas rinovimit me Ermal Vathin e nënshkrimit me nigerianin Odakvo, në fokusin e Erzenit janë vënë edhe tre afrikanë të tjerë që priten në Shijak në fundin e muajit qershor. Kamerunasi Xhixhua, i cili është pjesë e Bylisit, mbetet alternativa e momentit.
Për Sportekspres.com, drejtori teknik i Erzenit, Altin Keçi, deklaron se përforcimi me lojtarë të huaj do bëhet vetëm me individë cilësorë. “Jo vetëm lojtarë afrikanë, por Erzeni këtë merkato e ka nisur edhe me futbollistë shqiptarë të njohur në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Ne jemi në bisedë me një futbollist tjetër të Besës që ka luajtur më parë me Erzenin dhe besoj se këtë javë edhe mund ta mbyllim marrëveshjen”.
Por Keçi tregon edhe një tjetër mundësi në këtë merkato: “Në fundin e muajit qershor, tek Erzeni vijnë tre lojtarë afrikanë. Unë i kam bërë gati dokumentat e tyre, dy prej të cilëve janë gati brenda 10 ditëve, ndërkohë që njeri prej tyre është duke i mbyllur ato. Këta i mendojmë përforcime cilësore, pasi CV-ja e tyre tregon se i shërbejnë synimeve tona për sezonin e ri”.
AGRON KAJA