Epoka Mesi, “pleshti” që ndryshoi historinë e Barcelonës

0

Në nëntor të vitit 2004 në stadiumin “Camp Nou” debutoi një djalosh i destinuar për të ndryshuar historinë e një klubi dhe të futbollit të një vendi. Lionel Mesin dhe historinë e tij te Barcelona e dinë të gjithë.  Argjentinasi, bashkë me “Tiki-Takan”, arriti ta ngjisë Barcelonën në skajin më të lartë të futbollit botëror.

Deri në atë periudhë, klubi që mbizotëronte futbollin spanjoll ishte Reali i Madridit, por jo më. Para debutimit të Leo Mesit me ekipin e parë, balanca e titujve ishte për Realin, me 72 të tillë, kundrejt 61 të blaugranave. Pas 15 vitesh historia ka ndryshuar. Barcelona nuk është më klubi nën hijen e Madridit, por është skuadra që e ngjyros futbollin.

Barcelona, bashkë me La Ligan e mbrëmshme arriti numrin e 95 trofeve. Reali ndalet në 92 kupa në muzeun e tyre. Pra, katalanasit në epokën e Leo Mesit kanë hedhur poshtë një disavantazh prej 11 trofesh. Por ky nuk është fundi për këtë sezon, pasi Mesi me shokë janë kualifikuar në finalen e kupës së Mbretit dhe në gjysmëfinale të Champions League. Të gjithë mund të largohen, por nëse “pleshti” është aty, trofetë vazhdojnë të shtohen.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.