Armando Cungu u shkarkua nga Kukësi dhe flet pa asnjë peng. Tekniku shkodran ka dhënë një intervistë për Telesport dhe flet për largimin, raportin me presidentin dhe të ardhmen. Ai ka analizuar gjithçka ndodhi këtë sezon në skuadrën e tij dhe thekson se skuadrën e ka pasur pas vetes. Cungu beson se Kukësi do të luftojë deri në fund për titullin, ndërkohë që i shikon favoritë për të triumfuar në Kupë. Çfarë kishte Partizani më shumë? Strategjinë…
SHKARKIMI – “Të them të drejtën, edhe e prisja, edhe nuk e prisja. Kjo situatë ishte krijuar edhe thuajse tri javë më parë, kur ndërhyrja e presidentit Gjici bëri që të vazhdoja të drejtoja Kukësin. Dje në mbrëmje m’u komunikua dhe sot në mëngjes shkova në zyrë dhe u takova me presidentin, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Kam bërë maksimumin tim. Largohem me kokën lart, me një skuadër që është ende në garë për titullin, që lufton për të fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë”.
“Rikthimi i mundshëm? Jo, tri herë janë shumë. Mjaftueshëm janë dy herë. Kukësit i uroj të gjitha të mirat e kësaj bote, por nuk do të kthehesha më. Si u ndatë me presidentin? Në mënyrë shoqërore dhe të ngrohtë. Nuk kam asgjë ndaj presidentit dhe ai e di. Siç edhe ai nuk ka asgjë kundrejt meje. E ardhmja? Do të jem tifoz i Kukësit. Dua të pushoj deri në verë, më pas do të shoh se çfarë mundësish do të më ofrohen”.
LOJTARËT – “Patët futbollistë kundër? Nuk besoj, por edhe nëse dikush e ka bërë, mjerë ai. Sepse, grupin e kisha nën kontroll dhe të gjithë ishim për një objektiv. Pakënaqësi të vogla ka, sigurisht, për ata që nuk luajnë. Por, do të ishte e çuditshme po të mos kishte, realisht”.
MERKATO – “Kam folur me drejtuesit dhe sipas nevojave kemi bërë edhe ndërhyrjet e duhura. Si mund të them që Rroca apo Shkurtaj janë dy afrime që nuk doja? Çdo trajner do t’i kishte dashur në ekipin e tij. Edhe Valdet Rama, që ka qenë dikur pjesë e kombëtares, gjithashtu një lojtar që bën diferencën”.
ÇFARË NUK SHKOI – “Nëse ndryshon 2/3 e një skuadre, sigurisht që duhet koha e përshtatshme. Është si një organ i ri në trupin e njeriut. Nuk mund të përshtatet menjëherë. Kishte djem të rinj, pa përvojë për të luftuar për titullin apo për të duruar presionin e ndjekësit. Besoj se bazat u hodhën, thjesht duhet pak kohë. Megjithatë, unë i uroj Kukësit që të luftojë deri në fund për titullin dhe jam i bindur se do ta bëjë. Në të njëjtën kohë, besoj se do të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë. Kontigjentin e futbollistëve e ka dhe me disa rikthime pas dëmtimeve do të jenë edhe më të fortë”.
“Besoj se një pengesë e madhe që ka ndikuar ishte fakti që nuk kemi luajtur në stadiumin tonë, që do të ishte arma më shumë, ose futbollisti i 12-të. Shumë skuadra kanë fituar ndeshje që edhe nuk meritonin thjesht prej publikut dhe shtyrjes apo përkrahjes që i ka dhënë. Të luftosh për titull pa stadiumin tënd është tepër e vështirë”.
EPËRSIA E PARTIZANIT – “Strategjia e zgjedhur, ndoshta. Ata nuk ndryshuan aspak grupin. Ndërhynë me pikatore, duke marrë futbollistë funksionalë dhe duke plotësuar grupin. Pastaj, fakti që patën ecuri pozitive dhe vazhdimësi, duke marrë kreun, i dha më shumë bindje. Ndryshe është të jesh i pari, ndryshe të ndjekësh. Por, në një moment, u afruam me 3 pikë dhe aty ndoshta gabuam, duke ngadalësuar më pas hapin”.
TRAJNERËT KOKA TURKU – “Jo vetëm në Shqipëri, kudo në botë ndodh kjo. Është profesioni ynë. Ja shihni Liverpulin. Jurgen Klop ka disa vite aty dhe çdo seksion merkatoje investohen shuma të mëdha parash, por sërish nuk ka asgjë të sigurt edhe këtë vit për të fituar titullin, sepse Siti e ka marrë veten. Duhet kohë, projektim dhe sidomos durim. Ekipet e mëdha ndërtohen kështu, sidomos pasi fitohet edhe eksperienca e futbollistëve”.