Tirana ka javë që pret ofertat e duhura për të shitur disa lojtarë dhe duket se ka mbyllur shitjet e Mervejlit dhe Akuasë, por tashmë rrezikon t’i zbrazet skuadra, sepse po vijnë “lumë” ofertash edhe për lojtarë të tjerë, njofton Supersporti.
Kështu, Albi Doka është gjithnjë e më shumë drejt largimit nga Shqipëria dhe oferta më serioze është pikërisht nga Osijeku, që mori edhe dy afrikanët.
Klubi kroat ka shtuar ofertën e parë, duke kërkuar edhe Dokën, me mbrojtësin që mund të huazohet një vit te Videotoni në Hungari, nëse realizohet operacioni. Tirana po mendohet, por Doka duket gati për hapin e madh dhe pret, ndërsa Tirana do të pranojë nëse mban ndonjë përqindje të kartonit.
Nuk mbaron me kaq, sepse Elvi Berisha është zbulimi i radhës te bardheblutë. Mesfushori 18-vjeçar habiti vëzhguesit në ndeshjet kundër Makabit, duke luajtur titullar në Izrael dhe duke bërë një figurë të mirë.
Berishën e duan në Spanjë dhe tashmë duket e kryer me Leganesin, që e kërkon mesfushorin e ri për ta çuar tek ekipi B, për t’u rritur.
Tirana mund të marrë paratë e formimit të futbollistit, por shifra nuk dihet ende saktësisht, sepse duhet parë formula e transferimit, nëse do të realizohet.