Mançester Junajtid viziton Liverpulin, ndërsa të gjithë janë gati për të shijuar klasiken e famshme të futbollit anglez. Zhoze Murinjo ka folur për ndeshjen e vështirë, duke u ndalur te Mohamed Salah.
Portugezi ka punuar me sulmuesin egjiptian te Çelsi. Salah nuk ishte ky lojtar që njohim sot, ndërsa shpërthimi i tij filloi kur kaloi në huazim te Fiorentina. Më pas Roma dhe tashmë Liverpuli, aty ku është kthyer.
“Salahun që njihja te Çelsi ishte një premtues, ndërsa sot është një nga më të mirët në botë. Që nga ai moment, ai është rritur në mënyrë të pabesueshme në të gjitha aspektet. Ishte një djalosh i brishtë dhe i shpejtë. Sot është i fortë, i shpejtë dhe fizikisht është fantastik. Nuk ishte gati psikologjikisht për kampionatin anglez, pasi vinte nga një klub i vogël zviceran. I kam dhënë shansin të luajë në stadiumin e Totenhemit dhe Mançester Sitit, por ishte tepër për të. Tani ai luan kudo, në Barcelonë, Madrid dhe është pak a shumë tipi ‘unë jam Momo Salah dhe nuk kam frikë nga askush’. Liverpuli ka shumë pika të forta, por Salah është një fuqi bërthamore”, përfundon trajneri portugez i “Djajve të Kuq”.