“Perënditë janë arratisur” thuhej në një prej vargjeve të poetit të njohur gjerman Holderlin. Varg, i cili mund të qëndrojë më së miri si titulli i El Clasico-s numër 272 në histori ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit. Pas 11 vjetësh, supersfida e futbollit spanjoll kthehet në një ndeshje tokësorësh.
Për më tepër se një dekadë, ky duel ishte shndërruar edhe në sfidën ndërmjet Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, fitues të dhjetë “Topave të Artë”. Këtë herë, dy yjet nuk do të shkëlqejnë në skenën më të rëndësishme të futbollit iberik dhe atij botëror. Pas lamtumirës së CR7 nga Reali, tashmë edhe argjentinasi mungon për shkak të frakturës së pësuar në krah, në ndeshjen me Sevijan.
Beteja ndërmjet dy klubeve më të mëdhenj dhe që kanë fituar më tepër në Spanjë, humbi me një goditje të vetme dy protagonistët e mëdhenj, ata që në vitet e fundit kanë shënuar më tepër se të gjithë në histori në rivalitetin e përjetshëm. Ndeshjet ndërmjet Barcelonës dhe Realit etiketoheshin edhe si duelet e “Mesit kundër Ronaldos”.
El Clasico e fundit që u luajt pa dyshen jashtëtokësore, daton më 23 dhjetor 2007. Në atë periudhë, Reali triumfoi 1-0 në “Kamp Nou”. Kristiano Ronaldo luante ende me Mançester Junajtid, ndërsa Mesi nuk luante për shkak të një dëmtimi muskulor. Ajo përballje u vendos nga goli i “Bishës” Baptista, me “Los Blankos” që e rritën në +7 avantazhin në renditje dhe në fund të sezonit fituan titullin e 31-të në histori.
Por, El Clasico e tokësorëve mbetet mjaft e rëndësishme. Me një humbje, aventura e Lopeteguit në Madrid mund të përfundojë, me “hijen” e Antonio Kontes, që qarkullon prej kohësh në “Santiago Bernabeu”. Supersfida ndërmjet Barcelonës dhe Realit mbetet gjithsesi një spektakël, për të mos u humbur.