Teuta nuk do të ndryshojë trajner, pasi Bledi Shkëmbi ka rinovuar kontratën dhe do të mbetet në krye të skuadrës durrsake edhe për sezonin e ardhshëm. Korçari mbylli sezonin e parë në Superiore dhe në fund doli në vendin e tretë në kampionat, çka u siguroi “Djemve të Detit” pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Presidenti Edmond Hasanbelliu ka menduar t’i besojë sërish Shkëmbit dhe burime të Sport Ekspres pranë klubit durrsak bëjnë me dije se sot është firmosur edhe marrëveshja e re, që është e vlefshme edhe për një vit. Korçari mund të nisë të mendojë që tani për pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare dhe për sezonin e ardhshëm në Superiore.
Kjo ishte edhe vetë dëshira e Shkëmbit, i cili dëshironte të qëndronte në kryet të Teutës. Emri i tij ishte lakuar edhe te Tirana, klub që e ka menduar si opsion edhe një vit më parë. Gjithsesi Shkëmbi do të vijojë projektin e tij me durrsakët.