Rikardo Montolivo shpenzoi shtatë vite të jetës së tij për ngjyrat kuqezi. Ishte një lojtar që e dinte se çfarë do të thotë të veshësh atë fanellë dhe e ndjente dhimbjen e humbjes bashkë me tifozët. Karriera e çdo futbollisti nis me një kurbë ngritje dhe përfundon me zbritje.
Fatkeqësisht Montolivos i kishte ardhur koha që niveli i tij të ulej, për shkak të moshës dhe kondicioneve fizike. Gatuzo nuk pati mëshirë dhe e la atë në mes të katër rrugëve, duke mos e grumbulluar fare që nga muaji prill e deri në ndeshjen e fundit.
Pra, kapitenin e këtij ekipi prej katër vitesh nuk preferon as ta mbash në stol. Më pas papritmas erdhi njoftimi se atij nuk do i rinovohet kontrata dhe do të mbyllet bashkëpunimi. Këtë njoftim nuk e pasoi asnjë ceremoni lamtumire apo një aktivizim prej të paktën një minute, thjesht për një përshëndetje nga tifozët.
Kjo gje ka mërzitur shumë Montolivon. Ai ka reaguar me një deklaratë në rrjetet sociale ku e shpreh troç mungesën e respektit që një klub i madh si Milani ka treguar ndaj ish-kapitenit të tij.
“Shtatë sezone me këtë bluzë të shumë të çmuar, katër vite si kapiten. Ata zgjedhin të më largojnë dhe nuk bëjnë apo thonë asgjë. Unë nuk meritoj asnjë minutë në fushë që t’i drejtohem tifozëve për një lamtumirë. Të gjithë këtë frymë që ata ma kursyen, e përdor për të falenderuar tifozët kuqezi. Faleminderit nga një njeri dhe kapiten i plagosur. Unë do të vazhdoj ta mbaj kokën lart, i vetëdijshëm që kam bërë gjithmonë më të mirën. Dashuria ime për këtë fanellë mbetet përgjithmonë”, u shpreh 34-vjeçari.