“E doni Nejmarin? Bëni gati 300 milionë euro”. Ky ishte mesazhi që PSG i dha Barcelonës, që sigurisht nuk është e gatshme të paguajë një shifër të tillë për ta rikthyer brazilianin në Katalonjë. Tashmë ka një shifër tjetër dhe që katalanasit janë gati ta kalojnë në arkat e francezëve.
Sport.es raporton se bisedimet kanë përparuar dhe PSG kërkon më pak se 200 milionë euro për Nejmar. Pini Zahavi dhe Kia Jobaçian po negociojnë dhe kanë arritur të përcaktojnë një çmim konkret dhe të pranueshëm për të dyja palët.
Bisedimet nuk kanë qenë aspak të lehta, edhe pse në Francë janë përgatitur të heqin dorë nga Nejmar. Braziliani Leonardo ka qenë vendimtar, pasi ua ka barë të qartë pronarëve të klubit se duhet të kërkojnë një shifër të arsyeshme, duke pasur parasysh se ishte pamundur ta bindte Nejmar të qëndrojë.
PSG do kërkojë më pak se 200 milionë euro, shifra nuk dihet, ndërkohë që synohet përfshirja e një lojtari në marrëveshje. Kutinjo, Dembele dhe Umtiti janë emrat e lojtarëve që mund të ndryshojnë skuadër, por ende bisedimet nuk kanë arritur në atë fazë që ta përcaktojnë edhe se kush do të përfshihet në operacionin e rikthimit të Nejmar te Barcelona.
Nga ana tjetër edhe presidenti Josep Bartomeu ka luajtur një rol vendimtar në gjithë këtë histori, teksa i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së brazilianit për të veshur sërish fanellën “blaugrana”. Madje jo vetëm kaq, por mes tyre ka edhe një marrëveshje verbale, që sikurse kuptohet do të konkretizohet shumë shpejt.