Milani i ri, ai i kinezëve, po bën një merkato të shkëlqyer, por pa emra të mëdhenj, sepse deri mtani janë afruar shumë lojtarë të rinj në moshë e pa trofe madhorë në CV.
Megjithatë, lajmi i fundit nga Italia është i bujshëm: Milani kërkon Leonardo Bonuçin!
Lajmi është përhapur nga Sportmediaset dhe ai që fillimisht u duk një spekulim sa për pak bujë mediatike, tashmë po pasurohet me detaje që konfirmojë idenë e klubit kuqezi.
Fillimisht u fol për një ofertë që përfshin De Shilion, Romanjolin dhe para, ndërsa Bonuçit i ofrohen 7 milionë euro në sezon.
Bonuçi është dakord, aq më shumë që te Juventusi ka fituar gjithçka në Itali dhe sezonin e fundit ka probleme të mëdha me trajnerin Alegri, por Juventusi po mendohet.
Sot Milani ka dërguar edhe propozimin e dytë: 30 milionë euro plus De Shilion, ndërsa SportItalia raporton se agjenti i lojtarit, Alesandro Luçi, ka konfirmuar se po punon për transferimin e Bonuçit.
Tentativë për të ushtruar presion mbi Juven për ndonjë kontratë të re? Vështirë, sepse Bonuçi sezonin e shkuar rinovoi.