Eros Grezda është shumë pranë largimit nga ekipi i Osijekut. Sipas medies kroate “Index.HR”, sulmuesi i kombëtares mund të kalojë në Skoci ku e kërkon skuadra e Gllazgou Rejnxhërs. Klubi gjigant që ka në krye të bankinës ish-futbollistin legjendar të Liverpulit, Stiven Zherard, e konsideron 23-vjeçarin si zgjidhjen ideale për të zëvendësuar sulmuesin Xhemi Mërfi, i cili e mbylli sezoni pas një dëmtimi të rëndë në gju.
Por, skocezët nuk do ta kenë aspak të lehtë për të blerë kartonin e Grezës. Sipas medieve kroate, drejtuesit e Osijekut nuk kanë ndërmend ta shesin sulmuesin shqiptar pa të paktën 3 milionë euro. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin negociatat për lojtarin e lindur në Gjakovë.
Greza nuk është i pari futbollist nga kampionati kroat që por tërheq vëmendjen e gjigantit skocez. Para disa javësh Rejnxhërs afruan në ekip lojtarin tjetër të Osijekut Borna Barisiç dhe qendërmbrojtësin e Slaven Belupos Nikola Katiç.