E ardhmja? Plori i pavendosur për sezonin e ri

Pas mbylljes së kampionatit të Kategorisë së Parë, trajneri i Burrelit, Elvis Plori, falënderoi skuadrën e drejtuesit për bashkëpunimin. Por, shkodrani e la të hapur mundësinë e largimit nga pankina matjane, me mendimin se ekipet që drejtohen e financohen nga Bashkia nuk kanë shumë siguri. Duke qenë se ai e ka një opsion për të biseduar për sezonin e ri, do t’i duhet që të presë zgjedhjet e 30 qershorit për të vendosur.

Për SportEkspres.com, Plori deklaroi se më 31 maj, kontrata e tij në pankinën e Burrelit përfundoi. “Zyrtarisht unë e mbylla kontratën më 31 maj dhe ndihem mirë për faktin se skuadra qëndroi në Kategorinë e Parë. Kjo ishte një mbyllje e mirë, edhe pse ka qenë një kampionat me shumë stres, jo vetëm për zhvillimin e tij, por edhe nga faktorë të tjerë që e vështirësojnë garën në këtë kategori. Për këtë eksperiencë, ndihem i detyruar të falënderoj Bashkinë për besimin”.

Plori e le të hapur qëndrimin te Burreli: “Më 31 maj, mua më përfundoi kontrata me Burrelin, por edhe mund të qëndroj për një tjetër sezon, nëse nga Bashkia do të ketë një projekt serioz. Është sakrificë e madhe, sidomos nga ana profesionale që të mos kesh një projekt të mirë, pasi puna bëhet e mirë nëse projekti është i tillë. Ndaj, unë do bëj zgjedhjen më të mirë, koha është në favor”, përfundoi trajneri.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *