Lacio pret Napolin në Olimpiko në ndeshjen e parë të sezonit të ri. Sfida zhvillohet të shtunën në mbrëmje dhe trajneri i Lacios, Simone Inzagi, në konferencën për shtyp para sfidës hapëse, komenton situatën e mesfushorit Milinkoviç-Saviç. Serbi i shumë dëshiruar nga klube të ndryshme, do të qëndrojë te Lacio.
I vetmi rrezik është një ofertë e fundit nga Spanja, aty ku merkato mbyllet me datë 31 gusht, por Inzagi po bën planet me të në ekip dhe konfirmon qëndrimin e 23-vjeçarit.
“Milinkoviç-Saviç është një lojtar që e kërkojnë shumë klube të Europës, por ai do të jetë pjesë e jona për këtë sezon. Merkato është e gjatë dhe ekzistonte mundësia e largimit të tij, por kam biseduar me Sergein dhe kam kuptuar që dëshira e tij është e njëjta më atë të klubit. Gjithmonë është stërvitur mirë dhe ka qenë në dispozicion.
Do të jetë një vit i vështirë për të, sepse do i duhet të përsërisë sezonin e kaluar, ashtu si dhe i gjithë ekipi. Kemi një kontigjent të mirë lojtarësh dhe klubi është treguar i aftë në rezistencën për të mbajtur në ekip, jo vetëm Sergein, por edhe Imobilen dhe Luis Alberton”, përfundon timonieri i Lacios.