E ardhmja e Gonzalo Higuain është në udhëkryq të plotë, me argjentinasin që duket gjithnjë e më larg Çelsit, ndërsa te Juventusi është i padëshiruar.
Pikërisht ditën e sotme, në mediat angleze dhe italiane është raportuar se Çelsi e ka vendosur që për argjentinasin nuk do ta aktivizojë të drejtën e blerjes dhe për këtë gjë është bindur edhe trajneri Sarri.
Vetëm pesë gola që nga janari për “El Pipitën”, i cili duket krejtësisht i humbur. 31-vjeçari do të rikthehet te Juventusi, rikthim që pritet të zgjasë shumë pak, të paktën deri sa Higuain të gjejë ekipin e ri. Diçka duket e sigurt, sulmuesit i është mbyllur dera nga Çelsi dhe Juventusi.