Trajneri i ri i Kukësit, Shpëtim Duro, tha fjalët e tij të para gjatë prezantimit që u bë sot. Duro shpjegoi para gazetarëve të pranishëm arsyet pse zgjodhi Kukësin, objektivat që ka me këtë skuadër dhe shumë tema të tjera. Në fjalën e tij, kreu i ri i pankinës verilindore tha:
FJALËT E PARA – “Puna e trajnerit është përgjegjësi në çdo skuadër. Edhe marrja e drejtimit të Kukësit është përgjegjësi, edhe më e madhe, sepse Kukësi ka qenë protagonist me Skënderbeun dhe Partizanin në dekadën e fundit, duke fituar edhe trofe. Është një kënaqësi të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin për besimin. Pozitive është që është fillimi i sezonit, ndaj kemi kohë”.
ZGJEDHJA – “Janë disa skuadra që nuk refuzohen. Projekti dhe objektivat, skuadra cilësorë që ka, këto më binden të pranoj”.
GJICI – “Puna e trajnerit e tillë është. Është hera e parë që bashkëpunoj me Gjicin, është president ambicioz, që ka fituar shumë. Nga jashtë e kam parë që skuadrat e ndërtuara këtu kanë qenë gjithnjë të forta, shpresojmë të bëjmë më të mirën”.
SKUADRA – “Nuk ka arsye për të ndërhyrë fuqimisht në ekip. Do ketë ndonjë largim që do zëvendësohet. Skuadra është cilësore, unë kam mendimet e mia ku mund të përforcohemi, në bashkëpunim me Nexhipin, të cilin e kam pasur edhe futbollist, tani e kam drejtues”.
NEXHIPI – “Sot po tregoj një sekret: ofertën e parë që Gjici i ka bërë një trajneri shqiptar në Superiore ma ka bërë mua, por zgjodha rrugë tjetër në atë kohë, pas periudhës që drejtova Skënderbeun. Ishte Kukës tjetër në atë kohë, natyrisht. Me Nexhipin me bashkëpunuar mirë, te Partizani e Shkëndija, ka eksperiencë të madhe në futboll dhe ndihem i vlerësuar nëse ai ka ndikuar në zgjedhjen time”.
TITULLI, PARTIZANI – “Kam punuar te Partizani, por jemi profesionistë. Nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Kukësin të fitojë”.
E ARDHMJA – “Nuk i kam qejf termat mbrojtës, sulmues, janë përkufizime të dala mode. Unë kam pasur gjithnjë ekipe të ekuilibruara, elastike, në varësi të kundërshtarit. Rëndësi ka që skuadra të funksionojë”.
MERKATO – “Kukësi e Partizani kanë qenë dhe mbeten skuadra kryesore. Ashtu siç mendojmë ta përballojmë ne, edhe ata mendojnë si të na përballojnë. Tani nis puna jonë për kompletimin e ekipit në rast largimesh, të shohim si do përshtaten në fushë lojtarë të veçantë”.
SUPERIORJA – “Për Skënderbeun më ka ardhur shumë keq, sepse kam qenë aty. Partizani është përforcuar, të shohim më tej ekipet e tjera.
LOJTARËT PA KONTRATË – “Dje arrita marrëveshjen me klubin, do ulemi të bisedojmë. Kontratat i sheh klubi, pastaj unë vendos në aspektin teknik”.
GAVAZAJ DHE DAKU – “Unë dje e mbylla marrëveshjen. Gavazaj e njohim, është përforcim shumë cilësor. Daku është cilësor, i ri, por me shumë të ardhme”.
VALDET RAMA – “Është shumë cilësor, me eksperiencë, që vlen edhe për kombëtaren. Klubi po flet me të, të shohim”.