Ismael Dunga është një nga afrimet cilësorë të Tiranës, që këtë sezon kërkon titullin kampion. Sulmuesi nga Kenia, pasi ka firmosur për bardheblutë dhe gjithçka është bërë zyrtare, ka treguar edhe pse zgjidhi të ishte pjesë e 24 herë kampionëve të vendit.
“Zgjodha Tiranën, pasi Tirana është një klub i madh. Ata kanë shumë histori këtu në Shqipëri dhe në krahasim me klubet e tjera ata m’u dukën si pala më serioze që u interesua për mua. U konsultova dhe me agjentin tim Davidin dhe së bashku vendosëm se ky ishte opsioni më i mirë”, tregon Dunga në një bisedë për SportEkspres.com.
Sulmuesi nuk ka dëshirë ta kthejë kokën prapa, të paktën për momentin: “Për Luftëtarin s’dua të flas tani. Më vonë do flas”. Dunga ka arritur t’i shënojë tre gola Partizanit, skuadër që i është kthyer në makth Tiranës. Bardheblutë kanë pesë vite që nuk ia dalin të fitojnë dot në derbi.
Dëshira e sulmuesit është që t’u shënojë sërish të kuqve, këtë herë me Tiranën. Kjo është detyra e tij, të shënojë gola. “Partizani është një skuadër e madhe dhe është gjithmonë bukur kur shënon kundër skuadrave të mëdha. Kjo është ajo që bëj unë. Një sulmues duhet të shënojë në çdo ndeshje. Kam për detyrë të jap më të mirën e të ndihmoj skuadrën të kapë objektivat”, u shpreh keniani.
Dunga ka shumë besim se do të bëjë një sezon të mirë me bardheblutë, teksa në fund deklaron: “Vij me besim te Tirana dhe në çdo ekip tjetër ku kam shkuar. Kam shumë besim te vetja, prandaj them se do bëj mirë”.