Presidenti i FSHF-së, Armand Duka foli në lidhje më të ardhmen e futbollit shqiptar në tryezën e përbashkët të mbledhur sot në Tiranë. Numri një i institucionit qeverisës të futbollit shqiptar tha se beson se futbolli mund të kthehet në një industri fitimprurëse dhe për këtë duhet ndihma e qeverisë dhe prokurorisë.
“Na duket që sot është e parakohshme që forcat e rendit të mos jenë në stadium. Sot klubet shqiptare e kanë të pamundur për arsye financiare garantimin e sigurisë nëpërmjet kontraktimit të sigurie”.
“Është nevoja e formalizimit të klubeve profesioniste. Klubet duhet ndihmuar me anë të lehtësive fiskale, si për shembull duhet ulje e tvsh-së. Terrenet sportive t’i kalojnë klubeve pa shpërblim dhe për çdo investim në sport, qeveria të investojë”.
“Prokuroria e përgjithshme nuk na është përgjigjur kërkesave tona për të hetuar mbi rastet e trukimit të ndeshjeve dhe pastrimit të parave në futboll. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemet e futbollit shqiptar nuk janë vetëm probleme të sportit, por të të gjithë shoqërisë shqiptare. E falënderoj kryeministrin dhe i them se nëse ka vullnet politik, çdo gjë mund të rregullohet”.
“Duhet ta fusim futbollin në një shtrat të ri. Unë besoj se futbolli mund të kthehet në një industri fitimprurëse, ku nuk do të jetë nevoja për të përdorur fonde nga bashkitë. Për këtë duhet përmirësuar produkti. Kjo kryhet në bashkëpunim me shtetin, që të mundësojë lehtësira fiskale ”.
Fjalën më pas e mori dhe kreu i komisionit të etikës, Fatmir Braka, i cili pati gjithashtu një thirrje për prokurorinë.
“Do të doja të ishte këtu dhe prokurorja e përgjithshme, pavarësisht angazhimeve që ka, pasi thirrjet tona bien në vesh të shurdhët. Në asnjë rast nuk ka hetime nga prokuroria nga Gjykata dhe Shqipëria. Arbitrazhi shqiptar? Po është diçka që mund të bëhet në Shqipëri dhe do t’i jepte zgjidhje shumë çështjeve”.