Borusia e Dortmundit ka si prioritet merkatoje blerjen e një mbrojtësi të majtë. Gjermani Marsel Shmelzer nuk jep garanci për të ardhmen, ndërsa i riu Ashraf Hakimi është në huazim nga Real Madrid dhe pozicioni i tij i preferuar është ai i mbrojtësit të djathë.
Sipas medies gjermane “WAZ”, trajneri i Lysjen Favre i ka kërkuar drejtuesve të skuadrës të interesohen për mbrojtësin e Milanit, Rikardo Rodrigez. Futbollisti zviceran luan prej dy sezonesh në Itali, ku nuk ka përmbushur pritshmëritë e skuadrës italiane edhe pse ka luajtur me minuta të plota.
Rodrigez e njeh mjaft mirë kampionatin gjerman, pasi ka qenë më parë pjesë e skuadrës së Volfsburgut për shumë sezone. Transferimi i zviceranit mund t’i kushtojë Dortmundit diku te 15 milionë euro. Një tjetër lojtar që po shikohet për atë rol është dhe Filip Maks. Mbrojtësi i Augsburgut është një opsion më i shtrenjtë, i cili vlerësohet diku te 25 milionë euro.