Domgjoni: Nica na ka ndryshuar, mbijetesa e mundur

0

Te Kastrioti është rritur ndjeshëm besimi për të qëndruar në Superiore. Ndeshja e fundit në Laç tregoi se krutanët e kanë forcën për ta bërë diçka të tillë dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm, gjithçka është e mundur.

Kështu shprehet edhe mbrojtësi David Domgjoni, i cili është parë të luajë në qendër të mesfushës këto javë. “Ndeshja me Laçin na dha një shtysë, pavarësisht rezultatit. Luajtëm mirë dhe kemi fituar vetëbesim. Kemi dalë në lojën tonë. Është e vështirë me Flamurtarin, por duam maksimumin. Luajmë në shtëpi. Po u paraqitem si në ndeshjet e fundit, do marrim rezultat pozitiv”, u shpreh ndër të tjera Domgjoni në “Supersport”.

Më tej ai flet edhe për objektivin mbijetesë dhe për ndryshimin që Kastrioti ka pësuar me trajnerin Nica: “ Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm., po luajmë rrjedhshëm. Jemi aty-aty me të gjitha ekipet, do mundohemi të marrim maksimumin. Është një mision i mundur, kemi krijuar një fizionomi të lojës. Kemi një ekip të ri, Nica ka futur një frymë të re. Jemi shumë djem nën 21 vjeç që po luajmë”.

Sa i përket të ardhmes së tij, Domgjoni shprehet se për momentin mendon të ndihmojë Kastriotin ën realizimin e objektivit për të qëndruar në Superiore. “Do mundohem të bëj mirë, të realizojmë objektivat e vendosura në fillim të sezonit nga klubi. Shpresojmë t’i arrijmë ato, në fund të shohim. Momentalisht jam i fokusuar të ndihmoj ekipin në realizimin e objektivave”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.