Mançester Junajtid merr fitoren e dytë në pak ditë, sërish duke shënuar të paktën 3 gola, sërish duke festuar dhe duke konfirmuar se largimi i Zhoze Murinjos duhej bërë patjetër, ndoshta edhe më herët.
Trajneri Ole Gunar Solskjaer po bën gjëra të mira dhe sot Junajtid fitoi 3-1 ndaj Hadërsfildit, pa vuajtur fare.
Është herët për të folur për ndryshim total, pasi “lumi” i golave në dy ndeshjet e fundit ka ardhur ndaj rivalëve modestë, por nuk duhet harruar se deri para pak ditësh as ndeshjet më të lehta nuk fitoheshin bindshëm.
Matiç gjeti golin e avantazhit në minutën e 28-të, ndërsa Pol Pogba ishte perfekt në minutat 64 e 78, duke shënuar dy gola të bukur dhe duke konfirmuar se largimi i Murinjos e ka ringjallur si futbollist.
Triumf i lehtë, që afron për momentin vendin e katërt, ndërsa Solskjaer e ka nisur mbarë në Old Trafford!