Dita e sherrit, nga tifozët te Starova e Kalari

0

Trajneri replikon me tifozët në tribunë. “Guerrilsat” dhe “B-ultrasit” ngacmime në distancë. Policia eviton përplasjen. Mbështetësit e kuq largohen nga stadiumi. Një fansi i bie të fikët, Kalari gati për duel…

Ndeshja e djeshme ndërmjet Partizanit dhe Botevit ka dhuruar edhe shfaqje pikante pa fund. Nga trajneri Starova e deri te futbollistët e “demave”, pa harruar edhe tifozët që braktisin skuadrën… e rrallë! Loja e keqe dhe ndeshja e humbur me një rezultat që nuk i jep shpresë për ndeshjen e kthimit ka bërë që tifozët të kontestojnë ekipin duke u larguar para përfundimit të takimit.

SHERRI I TIFOZËVE – Para fillimit të takimit ka pasur ngacmime ndërmjet “Guerrilsave” dhe tifo-grupit të Botevit “Bultrasit”. Tifozët e kuq janë vërsulur drejt këtyre të fundit dhe bullgarët nuk ia kanë përtuar, por kanë qenë gati për të iu kundërvënë. Policia ka ndërhyrë në kohë duke shpërndarë tifozeritë dhe duke shmangur sherrin.

MENTALITETI I BULLGARËVE DHE BIRRA… – Keni dëgjuar për tifozët huliganë të Ballkanit? Ca burra trupmëdhenj dhe tatuazhe dhe birra në duar? Epo, shembulli më i mirë ishin tifozët e Botevit. Tifo-grupi i tyre me një mentalitet prej huliganësh me bindje të egra dhe madje ekstremiste. Prania e tyre në Tiranë u shoqërua me probleme që në Maqedoni. Shteti mik i ndali, pasi kanë shkruar parullën “Zoran Zaev është fajtor”. Përfundimisht numri i tyre u reduktua dhe në Tiranë erdhën rreth 70-80 tifozë. Para se të futeshin në stadium kanë gjetur kohë të ekspozojnë trupat e tyre lakuriq para stadiumit dhe të konsumonin edhe disa birra më tepër.

TIFOZERIA E PARTIZANIT – Nuk ishte ajo që pritej. Rreth 1500 persona kanë qenë në të gjithë stadiumin. Orari i papërshtatshëm dhe temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në numrin e ulët të tyre.

THYERJA E RREGULLAVE NGA TIFOZËT – Minuta e 21-të e pjesës së parë ka bërë që të thyhet edhe premtimi i skuadrës së Partizanit në lidhje me ekipin e Tiranës për të mos zbritur në tribunën e “Tirona Fanatics”. Disa nga tifozët e kuq për t’i shpëtuar vapës janë strehuar në pjesën e murit të asaj tribune që rezervonte hije. Policia i ka lejuar vetëm për 2 minuta dhe më pas i ka hequr.

PËRPLASJA MES POLICISË DHE TIFOZËVE – Një tjetër përplasje ka pasur mes tifozëve dhe Policisë. Në minutën e 35-të, policia ka shtyrë tifozët që po hynin dhe nuk i ka lejuar që të jenë në stadium. Kjo ka irrituar “Guerrilsat”, që janë drejtuar drejt tyre duke krijuar konfuzion për pak minuta.

SHOW” MES STAROVËS DHE TIFOZËVE – Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka pasur edhe përplasje me tifozët e tij në tribunën kryesore. Fillimisht ai është kritikuar për lojën mbrojtëse. “O Sule, ku e ke mesfushën. Kemi ardhur për të parë futboll, jo për mbrojtje. Fut lojtarët e rinj”, – i ka thënë një tifoz nga shkallët e stadiumit. Tekniku është mjaftuar vetëm me një shikim. Me rifillimin e pjesës së dytë dhe pas pësimit të golit të dytë ka shpërthyer mes trajnerit dhe tifozëve. “O Sule, ik se s’je për këtë ekip, s’do as Milinkoviçin ti”. Pas kësaj kritike Starovën nuk e kanë mbajtur nervat më dhe i është kthyer. “Çfarë të bëj, 7 lojtarë kam. Ekipi sapo ka nisur të ndërtohet”.

TIFOZËT LARGOHEN NGA STADIUMI – Goli i tretë ka irrituar tifozerinë e kuqe që është larguar në shenjë demonstrative nga stadiumi. Madje edhe tifo-grupi “Ultras Guerrils” ka mbledhur banderolën më herët se zakonisht, shenjë e qartë acarimi me ekipin.

TIFOZIT I BIE TË FIKËT – Pas mbarimit të ndeshjes një prej tifozëve të Partizanit i bie të fikët. Ai është shtrirë në tapetin e gjelbërt të “Selman Stërmasit”. Mjekët e Partizanit i kanë shkuar në ndihmë dhe më pas është transportuar me ambulancë në spital.

KALARI, SHERR ME NJË TIFOZ – Tifozët e Partizanit kanë shpërthyer në të shara ndaj lojtarëve të ekipit, duke kaluar edhe në fyerje personale. Mbrojtësi Renaldo Kalari u sha nga një prej tifozëve duke debatuar me tone të ashpra. Policia dhe zyrtarët e kuq kanë ndalur futbollistin, i cili kishte shkuar te hekurat rrethues, duke turfulluar dhe duke i kërkuar tifozit të shiheshin jashtë. Tension.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.