Humbja në derbi ishte një goditje e rëndë për renditjen dhe për moralin e Milanit, ndërkohë që tashmë synohet ringritja urgjente, për të mbrojtur vendin e katërt, sepse kualifikimi në Champions League është detyrim, duke parë ecurinë në vitin 2019 dhe problemet që po hasin rivalët, si Roma e Lazio.
Ndërkaq, drejtuesit e Milanit janë duke vëzhguar tre lojtarë të rëndësishëm të ekipit, sepse La Gazzetta dello Sport shkruan sot se klubi kuqezi do të vlerësojë deri në fund të sezonit paraqitjet dhe sjelljen e titullarëve me peshë si Kesié, Çalhanoglu e Suso.
Të tre kanë në dispozicion 10 ndeshje për të rifituar formën e së shkuarës dhe për të merituar konfirmimin në kuqezi, sepse mungesa e vëzhdimësisë së tyre ka irrituar klubin.
Të tre futbollistët janë titullarë dhe do të mbeten të tillë deri në maj, ndërsa më pas do të bëhet bilanci. Suso është lojtari më problematik, sepse ka shumë javë që po luan dobët dhe rinovimi i tij zvarritet prej kohësh.
Çalhanoglu ka pasur një ecuri më të mirë kohët e fundit, por ofertat 20 milionë euro e lart joshin Milanin, sepse turku nuk është se ka mahnitur.
Në fund, Kesié: afrikani e ka zhgënjyer pa masë trajnerin Gatuzo, me sherrin që bëri në derbi, ku u kacafyt me Bilian. Ndoshta deri në fund të sezonit historia do jetë harruar, por më pas edhe ai do jetë nën lupën e klubit dhe ndoshta Gatuzo do ta futë në listën e të padëshirueshmëve.