Kukësi do të luajë nesër një ndeshje shumë të rëndësishme me Torpedo Kutais në Gjeorgji, sfidë kjo e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Europa Leagues. Ka nisur me shumë probleme kjo aventurë e kuksianëve në Ligën e Europës, pasi tre futbollistë nuk janë pajisur me viza nga shteti gjeorgjian.
Valon Ethemi, Rexhinaldo dhe Edis Malik nuk kanë udhëtuar mbrëmjen e djeshme me ekipin. Situatë aspak e mirë dhe e tensionuar, pasi verilindorët kanë kërkuar shtyrjen e takimit.
Problemin më të madh duket se e ka tekniku Armando Cungu, i cili duhet dhe një herë të ideojë formacionin e Kukësit nga e para. Maliki ishte programuar titullar, por dhe Rexhinaldo kishte fituar terren për një fanellë titullari. Nëse ne sulm ka mjaftueshëm alternativa, ndryshon situata në repartet e tjera.
Në mungesë të Malikit, braziliani Uilliam është i detyruar që të spostohe nga krahu i majtë i mesfushës në pozicionin e tij natyral. Në të majtë të mesfushës qëndron dhe problemi kryesor, pasi vetëm Vangjel Zguro mund të përshtatet në këtë pozitë dhe nuk do të ketë asnjë alternativë tjetër, pasi as Ethemi nuk është i disponueshëm. Sikur të mos mjaftonte dhe Dino Shpehar është i dëmtuar.
Një situatë vërtetë e vështirë për Cungun që në këtë rast është i cunguar për të bërë zgjedhjet e tij me një organikë të vakët. Lajmi i vetëm i mirë është bashkimi me skuadrën i portierit Faton Maloku.