Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli, ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku diskutoi mbi transformimin që ka pësuar skuadra krutane që prej momentit ku ai u vu në krye të këtij posti. Gjirokastriti gjithashtu ka folur edhe për problemet që ka skuadra bardheblu e Tiranës, ku ai është aktivizuar në të shkuarën.
PROBLEME TE TIRANA – “Askush nuk e do Tiranën që të jetë në këto pozita. Kam luajtur aty tri vite dhe e dua atë klub. Një ndër armët më të forta që kam është mentaliteti fitues dhe e kam fituar aty, ai klub më ka dhënë shumë. Mendoj se faji fillon nga presidenti dhe drejtuesit e tjerë. Këtë e them pasi ekipit i mungon qetësia. Qoftë me anë të disa deklaratave që janë thënë gjatë ndeshjes, por edhe me problemet me tifozët kanë ndikuar. Në Gjirokastër ata ndaluan autobusin e skuadrës. Ekipi duhet të jetë i qetë. Kam vënë re që ekipi është futur në shumë presion. Edhe në ndeshjen e sotme ishte shumë i qetë, e dija qe ata po e ndjejnë shumë presionin”.
“Që ditën e parë që kam marrë Kastriotin jam mbështetur në tri parimet bazë që unë kam si trajner: Punë, disiplinë dhe harmoni. Në stërvitje s’na ka humbur asnjëherë entuziazmi. Harmonia ndoshta është arma jonë më e fortë”.
“Kam një ekip me lojtarë cilësorë. Djem të rinj që premtojnë. E kam thënë dhe më parë që kur të vijë qershori do të flitet shumë për këta djem”.
“Jam i qetë. I kemi bërë hyzmetin kësaj pune, vVetëm Partizani ka marrë më shumë pikë që kur kam ardhur unë në drejtim.. S’kam asnjë peng për atë që kam bërë tani. Për situatën e klubit para se të vija unë, nuk mund të flas. Nga dita e parë që kam shkuar, presidenti më ka siguruar çdo gjë që i kam kërkuar”.
GJYQTARËT E HUAJ – “Kam disa dyshime për disa raste brenda zonës, gjithsesi s’jam marrë ndonjëherë me gjyqtarët. Gjithsesi, jam i bindur se të dyja skuadrat ngelën të kënaqura. Më mirë që mor gjyqtar i huaj, ishte një vendim i drejtë nga Federata”.
EKSPERIENCA TE KAMZA – “Me Kamzën patëm disa probleme në fillim pasi disa nga lojtarët na erdhën me vonesël. Nuk ishte e thënë që ta çonim atë projekt deri në fund. U jam mirënjohës të dy presidentëve, që më dhanë mundësinë të luaj në Superiore. Tani ndoshta mund të kem shansin për të parë diku më lart, por të shohim”.