Dështimi i Shpresave, Hafizi i zhgënjyer: Nuk kanë faj vetëm trajnerët, peshku qelbet nga koka

Nëse Kombëtarja doli për momentin nga kriza, duke fituar në Andorrë dhe duke marrë 3 pikë frymëmarrjeje, në pritje të trajnerit të ri, kombëtarja Shpresa barazoi me vuajtje në Principatën e vogël në verilindje të Spanjës dhe sërish nuk është sjellë si një skuadër e vërtetë, edhe pse emra cilësor ka me bollëk.

Pas ndeshjes kundër Andorrës, fituar 3-0, ish-trajneri i Kombëtares Astrit Hafizi deklaroi se nuk duhej festuar shumë për një fitore të detyruar, ndaj një ekipi amator, ndaj “Sport Ekspres” ka komunikuar me shkodranin, për të folur pak edhe për Shpresat, meqenëse prej tyre pritej gjithashtu fitorja.

– Hafizi, në Andorrë duhej të fitonim edhe me magazinierin, siç u tha me humor. Po Shpresat, pse nuk ia dolën?
– Më vjen keq, është një rezultat shumë zhgënjyes, që flet vetë. Është e lehtë të bësh kritika në këtë moment dhe shumëkush do të sulmojë Alban Bushin, por mendoj se nuk është aq e thjeshtë, që të kufizohemi vetëm tek ai. Janë ndeshje ku vërtet mund të jesh superior në letër, por duhet karakter dhe uri, nuk jemi në balet. Është një barazim si humbje, një disfatë për t’i vënë gishtin kokës e për t’u menduar thellë.

I habitur nga kjo ecuri e Shpresave, sepse talente kemi plot, duke parë ku luajnë?
– Nuk është një befasi, kemi vite që me Shqipërinë U21 nuk po bëjmë thuajse asgjë. Jemi kënaqur herë pas here me ndonjë ndeshje të mirë, diku 30 minuta, diku një pjesë loje, diku me lojën dinjitoze, që na kthen pas në kohë. Vërtet krenoheshim me humbjet dinjitoze para 20-23 vitesh, por ishin kohëra të tjera, edhe kur kam drejtuar unë, nuk i kishim këto kushte, këtë zhvillim, këtë profesionalizëm e organizim. Tani i kemi gjithë lojtarët që luajnë jashtë, janë rritur në kampionate të rëndësishme në Europë, me infrastrukturë shumë të mirë dhe me mentalitet tjetër, atëherë ku është problemi? Këtu ka diçka që nuk shkon, duhet një analizë e kujdesshme, duke filluar nga seleksionimet që bëhen, që ndoshta nuk janë në nivelin e duhur.

– Dëgjojmë shpesh një frazë “rritim dhe evidentojmë talente për kombëtaren, rezultatet nuk janë prioritet”…
– Nuk jam dakord, normale. Talentet nuk i evidenton kombëtarja Shpresa, i evidentojnë klubet nga vijnë. Shumica janë të afirmuar, rriten në klubet përkatës me të gjitha kushtet dhe kombëtarja i zbulon edhe vetë.

– Si ju duket puna e kryer tek ekipet e moshave?
– Nuk dua të flas keq për ish-lojtarët e mi, duke nisur nga Alban Bushi, që është një djalë shumë punëtor dhe i apasionuar. Nga ana tjetër, nëse flas vetëm mirë, do thonë që e mbaj me hatër dhe nuk flas dot hapur. Ai është trajneri i moshave që ka punuar më gjatë në një post, përveçse ka punuar edhe në poste të tjera pranë kombëtares, si menaxher i kombëtares, është duke fituar eksperiencë dhe po mundohet, edhe pse natyrisht ka shumë punë për të bërë.

– Sipas jush, a është normale që të kërkohen rezultate vetëm tek ekipi A i kombëtares?
– Normale nuk është, ashtu si nuk është normale mungesa e kontrollit tek ekipet e moshave. Aktualisht kemi një drejtor të ekipeve kombëtare, Xhemal Mustedanagiç, i cili ka rreth një dekadë që punon në Shqipëri, ka drejtuar U17 dhe ka arritur një kualifikim shumë vite më parë, më pas rezultate mediokre, ndërkohë që tani është drejtues i lartë, në një kohë që ende nuk di shqip. Kjo nuk shkon fare, për mendimin tim, sepse nuk po flasim për ndonjë legjendë të futbollit ballkanas, që do na ndihmonte me emrin dhe autoritetin e vet, si ish-yjet e Kroacisë për shembull. Nuk e di me cilin komunikon dhe si komunikon Mustedanagiç, i cili bën platformën dhe ne i besojmë të ardhmen e futbollit tonë.

Për mua këtu është zanafilla e gjithë problemeve, peshku qelbet nga koka, nuk mund të ndalemi e të kritikojmë vetëm trajnerët e moshave. Edhe pse pa eksperiencë të madhe, trajnerët e moshave janë ish-futbollistë të kombëtares, që po mundohen të rriten si trajnerë dhe kjo praktikë ndiqet kudo nëpër botë, shpesh ish-futbollistë caktohen drejtues në ekipet e moshave. Nëse këta trajnerë nuk kanë ende CV të pasur, të paktën Mustedanagiç si drejtuesi i tyre duhej të kishte një CV shumë të pasur, të ishte një personalitet i trajningut në futbollin ballkanas, gjë që nuk e ka. Që këtu fillon gjithçka, dikush duhet të flasë për këtë çështje, dikush që ka përgjegjësinë dhe vendos për emërimin e drejtorit të kombëtareve dhe më pas trajnerëve.

Më duket se presidenti i FSHF-së nuk bën ndonjë analizë kur mbaron një edicion, nuk e kuptoj çfarë po ndodh me ne, ku fle lepuri. Ne kemi pasur futboll gjithnjë, në vitet ’80 të rinjtë shkuan mes 8 më të mirave të Europës, me djem të rritur në Shqipëri, ndërsa tani nuk rritim askënd në Shqipëri, i marrim nga jashtë thuajse gati dhe zero rezultate. Le të nisë krasitja dhe kërkesa e llogarisë që nga maja, të analizohet gjithçka, para se të shkojmë direkt e te kritika për trajnerët e kombëtareve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online