Përveçse një trajner fitues, me eksperiencë dhe ndër më të mirët në botë, Karlo Ançeloti zotëron cilësi humane shumë pozitive. Asnjë nga lojtarët që ka stërvitur më parë nuk ka folur një fjalë negative për të dhe kjo gjë e bën Karleton unik.
Aurelio De Laurentis është i lumtur me trajnerin e tij dhe nuk i kursen kurrë elozhet për të. Ançeloti u shpreh gjatë ditës së djeshme se dëshiron të qëndrojë edhe tetë vite te Napoli, ndërsa sot ka ardhur replika e presidentit.
Ky i fundit nuk mjaftohet me aq, por është gati t’i dhurojë pankinën derisa të tërhiqet, njësoj si rasti i Aleks Ferguson te Mançester Junajtid. Skocezi kaloi 27 vite në krye të stolit të “Djajve të Kuq”, përpara se t’i jepte fund profesionit në vitin 2013.
Në një prononcim nga Amsterdami, aty ku ndodhet në Asamblenë e Përgjithshme të ECA (Shoqata e Klubeve Europiane), kreu i Napolit flet për dëshirën e tij të madhe, duke e argumentuar se pse rasti i skocezit është i nevojshëm për një klub futbolli.
“Nëse kam marrë një trajner që e dashuron qytetin, qendrën tonë sportive dhe ka thënë që dëshiron të qëndrojë me ne edhe për tetë vite të tjera, atëherë unë e dua atë këtu për gjithë jetën. Njësoj si Fergusoni te Mançester Junajtid. Për mua trajneri duhet të jetë pika e referimit të një klubi futbolli, ai që e përfaqëson në gjithçka. Përveç menaxhimit të klubit, ekziston edhe menaxhimi sportiv, që është thelbësor për një klub futbolli”, përfundon presidenti i Napolit.