Derbi titull që në javën e parë

Shpëtim Duro u ul në stolin e Skënderbeut 6 vite më parë, 4 ditë përpara ndeshjes më të rëndësishme të sezonit. Kundër Flamurtarit përfundoi 1-0 dhe atë mbrëmje nisi përmbysja e madhe korçare që në fund fituan pas më shumë se 70 vitesh titullin kampion. Skënderbeu-Flamurtari është një derbi titull që rrezikon të përsëritet këtë edicion. Duro këtë radhë gjendet në pankinën e kundërt dhe në javën e parë do luajë pikërisht ndaj korçarëve me të cilët është shpallur kampion. Tani Duro është i bindur se mund ta tentojë me kuqezinjtë që herën e fundit që kanë fituar titullin daton në vitin 1991.

Jo vetëm sepse luhet në javën e parë, por mbi të gjitha për atë çka kanë bërë në merkato, kampionati i ri mund të na japë që në premierë një rikthim të një dueli që vite më parë ishte shumë i ethshëm. Skënderbeu dhe Flamurtari kanë qenë skuadrat më aktive deri tani në merkato, teksa Partizani dhe Kukësi janë ende në pritje për tu riformatuar. Korçarët dhe vlonjatët janë praktikisht të plotë dhe mungojnë vetëm 1 ose 2 prekje për ta mbyllur merkaton. Të dy klubet kanë operuar me kujdes, Skënderbeu për t’u përforcuar aty ku kishte nevojë më shumë, ndërsa kuqezinjtë për t’u ribërë nga e para, me lojtarë me përvojë që vijnë sidomos nga kampionati maqedonas.

Nuk ka asnjë diskutim që të njëjtat ambicie i kanë dhe Partizani e Kukësi që do luajnë mes tyre në javën e tyre, por ky kampionat meriton të hapet me një super ndeshje. Në Korçë, Skënderbeu-Flamurtari për të rikthyer emocionet e 6 viteve më parë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *