Tirana po përgatitet për derbin, ndërkohë që në seancën e sotme stërvitore ishte i pranishëm edhe presidenti Refik Halili. Kreu i klubi bardheblu ka zhvilluar një analizë me skuadrën dhe më pas foli edhe në “Supersport”.
“Me skuadrën kam folur edhe para ndeshjes ndaj Skënderbeut. Atëherë u thashë lojtarëve që kampionati ynë fillon nga ky moment. Çfarë ka ikur ka ikur, është e kotë të qajmë ndeshjet e kaluara. Këtë u thashë edhe sot lojtarëve”, u shpreh Halili, i cili ka vendosur edhe premio për lojtarët në rast fitoreje.
Ai flet edhe për pjesën e tij të fajit: “Në aspektin e menaxhimit mund të kem gabuar në disa gjëra, pasi nuk kam vendosur kurrë asnjë gjobë financiare ndaj lojtarëve. Ndoshta do të ishte më mirë kështu, por ky është një vendim i imi”.
TIFOZËT – “U kemi një borxh shumë të madh tifozëve. Për mua tifozët kanë gjithnjë të drejtë dhe këtë ua kam thënë dhe djemve të skuadrës. Ata e kanë ndjekur prej vitesh Tiranën”.
CILËSIA E SKUADRËS – “Mendoj se kemi një skuadër të mirë. Me ardhjen e trajnerit Mema kemi parë një ndryshim në lojën e skuadrës. Po shënojmë, por problem mbetet pësimi i golave”.