Trajneri i Kukësit, Armando Cungu foli sot për sulmuesin mozambikas, Rexhinaldo, i cili është çështja më e nxehtë e momentit te verilindorët. Për “RTSH Sport”, Cungu u shpreh:
“Rexhinaldo është dëmtuar pesë minuta pa filluar ndeshja me Laçin dhe u duk si një dëmtim i rëndë. Natyrshëm, ne e morëm në hotel me ekipin, siç është rituali jonë para çdo ndeshje. Futbollisti u ankua dhe doktori i ekipit i bëri grafi. Kishte një dëmtim dhe iu bë rezonanca. Po presim një përgjigje nga stafi mjekësor për rikthimin e tij.
Nuk mendoj se Rexhinaldo është dramë! Gjithsesi, besoj se nuk është koha e duhur për të folur për këtë gjë. Kukësi e ka në llogaritë e veta Rexhinaldon. Është një lojtar që ka vlera dhe jam i bindur se do e ndihmojë ekipin në pjesën e mbetur të sezonit. Rexhinaldo do të ketë ndeshjet e veta, minutat e veta, dhe mundësinë për të ndihmuar ekipin”,- përfundoi trajneri i Kukësit.