Italia i nisi mbarë eliminatoret e Euro 2020, duke fituar përballë Finlandës me rezultatin 2-0. Golat e Barelës dhe Kin i dhuruan tre pikët e para ekipit të Roberto Mançinit, i cili vendosi t’i dhuronte debutimin me bluzën e kaltër Nikolo Zaniolos.
Mesfushori i talentuar i Romës u aktivizua në minutën e 85-të në vend të Marko Verratit dhe ndihet shumë i lumtur. Në një prononcim për “Rai”, 19-vjeçari nuk i kursen elozhet për Eusebio Di Françeskon, personin që i besoi një post titullari te Roma, ndërsa vlerëson shumë dhe trajnerin aktual të verdhekuqve, Klaudio Ranierin.
Zaniolo tregon dhe këshillat e shumta që merr nga Françesko Toti. Legjenda e Romës insiston që mesfushori të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të vazhdojë të punojë fort për të mbajtur këtë nivel loje.
FALENDERIMET – “Debutimi me kombëtaren ishte një emocion i madh, një tjetër ëndërr e realizuar këtë vit, por e di mirë se duhet të qëndroj me këmbë në tokë. I jam shumë borxhli Di Françeskos, sepse bashkë me Mançinin ishin të vetmit që besuan tek unë. Eusebio më ka mësuar se si të sillem dhe jashtë fushave. Ai di se di të sillet me njerëzit. Më erdhi shumë keq që u largua. Kjo është diçka personale dhe unë e cilësoj atë si shumë të aftë. Tani është Ranieri dhe më duhet të jap maksimumin. Trajneri ka eksperiencë, ka fituar në karrierë dhe di si të sillet te një ambient si Roma”.
TOTI – “Françesko më jep këshilla se si të stërvitem, si të luaj dhe si të sillem. Dallohet qartë që është një kampion edhe jashtë fushave. Ma përsërit shpesh që duhet të qëndroj me këmbë në tokë. Më thotë që mjafton pak për të arritur diçka, por që është shumë e vështirë të qëndrosh në një nivel të caktuar.”