Matijs De Ligt vazhdon t’i mbajë pezull gjithë tifozët në pritje të vendimit të tij se me cilën skuadër do e vazhdojë karrierën. Barcelona, PSG, Bajern Mynih dhe Juventus janë në garë për të. Mëdyshja e madhe dhe konfuzioni që të jep të pasurit një agjent si Mino Raiola ka sjellë këtë mjegull rreth të ardhmes së djaloshit holandez.
Aron Uinter, pjesë e rëndësishme e stafit të Ajaks, ku shërben si asistent teknik ka dhënë këshillën e tij për De Ligt. Ai e përshkruan 19-vjeçarin si djalë shumë të zgjuar. Kampionati që Uinter mendon se është i duhuri për kapitenin e Ajaks është Serie A. Kështu, Juventusi mund të shpresojë më shumë.
“Kur stërvitemi, djemtë më pyesin rreth Italisë apo vendeve të tjera. De Ligt, ashtu si shokët e tij, është një futbollist mjaft inteligjent. Jam i sigurtë se do të zgjedhë skuadrën e duhur për të. Kam bindjen se nëse gjen një ekip që dëshiron të luajë futboll ai do të bëjë shumë mirë. Sipas këtyre kushteve, Serie A mund të jetë kampionati i duhur”, u shpreh Aron Uinter.