Presidenti i Napolit Aurelio De Laurentis ka ngelur shumë i zhgënjyer nga numri i ulët i tifozëve në ndeshjen ndaj Sampdorias, takim ky që me shumë mundësi është i fundit për kapitenin e klubit Marek Hamshik. Në një dalje për shtyp, De Laurentis nuk ngurroi të kritikonte hapur mbështetësit e skuadrës së tij.
“Jam i zhgënjyer që fansat po mendojnë vetëm për titullin kampion dhe jo për të përfaqësuar qytetin. Të gjithë duhet të ishin në stadium kundër Sampdorias. Çmimet ishin të ulëta dhe në mes ishte dhe aspekti i hakmarrjes (Sampdoria fitoi takimin e parë 3–0)”.
“Prandaj më lind e drejta t’u pyes: A jeni më të vërtetë tifozë të Napolit? Do ngelesha i shtangur nëse kjo do të ndodhte në një ekip tjetër. Milani dhe Interi nuk po shkëlqejnë në lojë dhe luajnë ndaj skuadrave më modeste, por prapëseprapë ata arkëtojnë mbi 5 milionë euro për ndeshje, ndërsa ne nuk i kalojmë 3 milionë euro. Ka tifozë që thonë se unë financoj filmat me paratë që marr nga Napoli, por në tri vitet e fundit bilancet e klubit janë negative”.
HAMSHIK – “Të gjithë doni të dini se çfarë do të ndodhë me Hamshik, por nuk do flasim për këtë çështje tani. Kur të vijë momenti i duhur në tre, katër ose pesë ditë, ne do t’u thërrasim e do t’u themi se çfarë do të ndodhë me kapitenin tonë.”
“Ju gazetarët gjithmonë shkruani gjëra të pasakta, por unë zbavitem nga kjo gjë. Po fillojmë të mendojmë për sezonin tjetër që do të jetë akoma më i vështirë, me Interin që do të tentojë gjithashtu të kërkojë titullin dhe Juventusin që ndoshta do të jetë disi më i qetë se vitet e kaluara”, përfundoi presidenti i Napolit.