Armando Cungu është i lirë dhe shumëkush ka menduar për një rikthim tijin te Vllaznia pas largimit prej Kukësit. Gjithsesi trajneri shkodran për momentin mendon vetëm të pushojë pranë familjes së tij. Në verë mund të vendosë të bëjë lëvizjen e radhës.
“Nuk kam marrë asnjë kontakt nga drejtuesit e Vllaznisë. Së dyti, edhe nëse marr, vetëm do i falënderoj. Dua të rri pushim. Isha te Vllaznia dhe u largova për situata që mendova se ishin të vështira në ato momente. Mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim. Kam treguar se jam munduar si shkodran dhe moralisht e kam pasur detyra ta drejtoj Vllazninë në ditë të vështira.
Kam bërë aq sa kam mundur dhe mendoj se deri diku kam pasur një aventurë të suksesshme, duke parë parasysh rrethanat dhe mundësitë që kishte Vllaznia. Për momentin nuk e shoh absolutisht të nevojshme praninë time te Vllaznia. Do qetësohem pak pranë familjes dhe miqve. Vllaznia ka nevojë për ndryshime rrënjësore”, shprehet Cungu për Rozafa TV.
Ai ka komentuar edhe largimin e Likës nga Vllaznia. “Hasan Lika ka bërë një punë të shkëlqyer te Vllaznia. Është një trajner me eksperiencë të madhe dhe meriton respekt”, deklaron Cungu. Lika ka lënë Vllazninë për t’u zhvendosur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Situata e tij është një hemorragji që po ndodh në shoqërinë shqiptare. Ajo që të dhemb më tepër, është se në vitet e para të demokracisë kanë ikur në masë pjesa jo shumë e rëndësishme e Shqipërisë, ndërsa vitet e fundit kanë zgjedhur të ikin njerëz me reputacion, profesionistë dhe kjo është që nuk më lë shije të mirë. I uroj shumë fat Likës. E njoh personalisht dhe kam raporte shumë të mira. Largimi i tij i bën keq Vllaznisë për mendimin tim”, përfundon trajneri shkodran.