Ekipi i Çelsit është padyshim një ndër ekipet më të përfolur këtë merkato, teksa zhvillime ka pasur si në hyrje si në dalje për blutë. Së fundmi, në ekipin londinez është kthyer Miçi Batshuaji.
Lojtari belg ishte i huazuar deri në fund të sezonit me Valencian, por e prishi marrëveshjen me klubin spanjoll. Ofertat nuk kanë munguar për sulmuesin, ku janë një sërë ekipesh që kërkojnë shërbimet e tij, ndërkohë që nga “Stamford Bridge” u largua në verë si i panevojshëm.
Fillimisht ishte Monako, teksa së fundmi në skenë ka dalë Evertoni. Siç raporton “The Sun”, ekipi nga Merseyside, po përgatit një ofertë monstruoze prej 40 milionë sterlinash, pasi kërkojnë blerjen definitive të 25-vjeçarit.
Numri një i pankinës së bluve nga “Goodison Park”, e kërkon me ngulm një sulmues, pasi Çenk Tosun nuk ka bindur. Pritet në ditët në vazhdim të mwsohet se çfarë vendimi do të marrë Çelsi, pasi londinezët interesoheshin vetëm për ta huazuar Batshuajin, ndërkohë oferta e Evertonit duket e parefuzueshme.