Atletiko Madrid është kthye në një kantier tashmë, teksa largimet nga “Los Colchoneros” sa vijnë e shtohen. Diego Godin, Antuan Grizman, Lukas Hernandez, por dhe Lusiano Vieto. Plot katër largime dhe duhet të përmendim që ende nuk është hapur merkato.
Sipas raportimeve të fundit, një tjetër lojtar pritet që të bëjë gati valixhet këtë verë, pasi kërkohet nga klubet më të mëdha evropiane. Bëhet fjalë pikërisht për Rodrin, i cili verën e vitit të shkuar u ble nga Vijareali.
Mesfushori është objektivi kryesor i Mançester Sitit, por së fundmi në garë është futur edhe Bajerni i Mynihut. Klauzola e spanjollit është 60 milionë euro, një çmim që për klube si Siti e Bajern nuk përbën problem, me Rodrin që pritet të vendosë se ku do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.
Ndërkohë, Atletiko nuk humbet kohë dhe është hedhur në sulm për të gjetur zëvendësuesin e tij. Objektivi është Markos Jorente, mesfushori i Realit të Madridit. Spanjolli nuk është i kënaqur me minutat e pakta që ka me Zidan në stol dhe po shqyrton të ardhmen e tij, që sipas gjasave do të jetë përsëri në Madrid, por me Atletikon tashmë.