Çështja Jusufi, sqarimi i Partizanit dhe një problem madhor

0

Fatjon Jusufi nuk është më pjesë e Partizanit. Mesfushori me tipare sulmuese nënshkroi në dhjetor me të kuqtë, duke lënë skuadrën e Renovës në Maqedoni. Drejtuesit e klubit arritën marrëveshjen dhe shikohej si një element i rëndësishëm për skuadrën, por gradualisht situata ka ndryshuar.

Jusufit i është bërë e qartë se stafi teknik nuk e ka në plane dhe zgjedhja e tij ka qenë që të ndërpresë bashkëpunimin, kjo krejtësisht normale. I riu në Shqipëri donte të tregonte vlerat e tij dhe te Partizani kjo mundësi nuk do i jepej për shumë arsye.

SQARIMI I PARTIZANIT – “Klubi dëshiron të informoj opinionin sportiv në lidhje me rastin Fatjon Jusufi. Lojtari, i cili iu bashkua skuadrës në ditët e para të muajit janar, ka ndërprerë gjatë ditës së enjte me mirëkuptim reciprok marrëveshjen me drejtuesit. Sqarojmë se kjo lëvizje ka ardhur si kërkesë e vet Lojtarit për të vijuar karrierën diku tjetër për arsye ambientimi dhe familjare.

Ndërprerja e bashkëpunimit mes palëve nuk ka të bëj me aspektin financiar, siç edhe është aluduar në media të ndryshme, lajme të cilat nuk janë aspak të vërteta por thjesht sajesa mediatike. Shpesh herë portalet dhe mediat sportive publikojnë shifra jo reale, duke u bazuar vetëm në hamendësime, siç ndodh rëndom me rastin Partizani. Klubi dëshiron ti uroj shumë suksese Fatjon Jusufit në karrierën e tij sportive”, shkruhet në njoftimin e bërë nga klubi i kuq.

PROBLEMI – Partizani, ashtu sikurse edhe klubet e tjera, duhet të jetë i kujdesshëm në lëvizjet që bën. Sidomos Partizani, duke ditur emrin e madh që ka dhe pretendimet. Gabimet në të shkuarën nuk kanë qenë të pakta dhe në aspektin financiar klubit i janë shkaktuar dëme.

Jusufi kishte nënshkruar për një pagë normale në Kategorinë Superiore, por për një që aktivizohet. Nëse lojtari do kishte vendosur të qëndronte dhe të paguhej duke ndenjur në tribunë apo duke u aktivizuar me ekipin e dytë, ai do të listohej në radhën e gjatë të lojtarëve që te Partizani kanë ardhur dhe nuk kanë lënë gjurmë.

Pavarësisht asaj që shkruhet në media dhe që në klubin e kuq i cilësojnë hamendësime, sajesa apo kushedi çfarë, krejt pa faj (madje kanë shumë) te Partizani nuk janë në këtë lëvizje të bërë prej tyre. Jusufi pa diskutim është një mësim tjetër për drejtuesit e klubit kryeqytetas.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.