Edi Reja numëron shumë ndeshje të drejtuara nga stoli, por nesër në drekë do të përjetojë emocione të forta. Italiani do të drejtojë për herë të parë kombëtaren tonë në transfertën e ftohtë të Islandës.
Dueli nis në orën 15:00 dhe 73-vjeçari është gati. Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë ka drejtuar vetëm klube, ndërsa nesër do të tentojë ta nisë mbarë aventurën me shqiponjat kuqezi dhe t’i dhurojë një rezultat pozitiv tifozëve shqiptarë. Trajneri ka dalë në konferencë bashkë me Elseid Hysajn, i cili do të mbajë shiritin e kapitenit në sfidën kundër ekipit viking.
“Në fushë gjatë stërvitjeve u kam dhënë filozofinë lojtarëve dhe e kanë zbatuar disi. 15 ditë nuk janë shumë, por jam munduar të shoh edhe aftësitë individuale të lojtarëve. Është me rëndësi të marrim rezultat, pasi do u jepte besim lojtarëve se sistemi po funksionon dhe mundi nuk u ka shkuar dëm”.
“Pres nga ekipi të jetë i organizuar dhe i ekuilibruar, të përfshihen të gjitha repartet. Duhet të jemi të suksesshëm edhe në finalizim. Nuk do të rrimë prapa. Do shohim nëse kjo punë e bërë do jetë e suksesshme”.
“Mënyra e lojës? Filozofia është të luajmë futboll, jo të mendojmë të futemi në fushë për të marrë një pikë. Ata kanë lojtarë të rëndësishëm, sidomos në goditjet standarde. Duhet të bëjmë presion para se të vijnë në fushën tonë. Do mundohen të na rrezikojnë me topat futur në zonë. Do më pëlqente që skuadra të futet në fushë me bindjen për të fituar. Formacioni? Nuk ua kam treguar as lojtarëve. Nesër do e merrni vesh”.
“Kundërshtari? I gjithë grupi i Islandës është i mirë, janë një ekip i organizuar. Sigurdgson është një lojtar shumë i mirë, me vlera teknike të larta. Edhe anësorët e tyre punojnë mirë, por edhe ne kemi lojtarë me vlera. Do mundohemi të mos i lëmë të luajmë, ne do bëjmë pjesën tonë. Janë të rrezikshëm po nuk i penguam në manovrat e tyre”.
“Çështja Grezda? Nuk ka një çështje, nuk është për këto dy ndeshje. Ai e mori këtë vendim dhe përgjegjësia është e tij. Ne e kemi në plane. Për këto dy ndeshje ai vendosi të mënjanohej. Do ulemi sërish të diskutojmë dhe të rivendosim një raport. Ai është shprehur dhe nuk besoj se mund të jem unë pjesë e këtij diskutimi. Ndeshja e nesërme është më e rëndësishme. Më mirë të flasim për grupin, jo për individët. Interpretimi mund të jetë ndryshe, të gjithë lojtarët janë të vlefshëm dhe nuk janë të pazëvendësueshëm”.