Shqipëria do të ndeshet nesër në transfertë me Andorrën. Fitorja është detyrim. S’duhet harruar se pavarësisht të gjithë probleme që kemi, përballë do të jetë një përfaqësuese ku pjesa dërrmuese e lojtarëve janë gjysmë-profesionistë.
Trajneri Ervin Bulku do të debutojë në stolin e kombëtares shqiptare ditën e nesërme. Kolegët tanë të “Supersport” ndodhen që prej ditës së djeshme në Andorrë dhe sipas tyre, Bulku ka përgatitur një formacion titullar me shumë ndryshime krahasuar me formacionin e përdorur nga Panuçi në ndeshjen ndaj Turqisë.
Berisha qendron i paprekur në portë, ndërsa mbrojtja qendron e njëjtë, por “revolucioni” fillon në mesfushë. Abrashi dhe Memushaj ulen në stol për t’i lënë vend Kaçes dhe Bashës, Taulant Xhaka është i vetmi i mbijetuar në këtë repart.
Ndryshime pritet të ketë dhe në majën e sulmit, ku do të rikthehet nga minuta e parë Armando Sadiku, i cili do të mbështetet nga Eros Grezda dhe Myrto Uzuni.
Formacioni i mundshëm: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli; Basha, Grezda, Kaçe, Xhaka, Uzuni, Sadiku.