Xhanluixhi Bufon u largua në verë nga Juventusi, mbas një jete me bardhezinjtë. 40-vjeçari ishte në dilema për t’i dhënë fund karrierës së shkëlqyer, por PSG e bindi italianin të vazhdonte edhe ca. Klubi francez ka formuar një ekip shumë të fortë dhe Bufon shpreson dhe ëndërron të fitojë Champions Ligën. Nuk ia ka dalë kurrë ta ngrejë në qiell, ndërsa uron që të mos përballet me Juventusin në finale, për shumë e shumë arsye.
Bufon ka folur për “Tiki Taka”, duke iu rikthyer largimit nga bardhezinjtë, oferta e PSG, si dhe komenton ekipin aktual të Juventusit. Xhixhi zbulon dhe të ardhmen e shokut të tij, Kavanit, i cili shihet afër rikthimit te Napoli, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë shpejt.
Në fund kombëtarja, dalja jashtë kontrollit në çerekfinalet e Champions-it kundër Realit dhe opinioni i tij për skandalin e tifozëve të Fiorentinës. Ultrasit viollcë kishin shkruar diçka në muret e stadiumit, duke ofenduar 39 tifozët e Juves, të cilët humbën jetën në tragjedinë e Hejselit dhe Shirean, i cili vdiq disa vite më vonë në një aksident.
JUVENTUSI – “Juventusin do të doja ta takoja gjithmonë, përveçse në finalen e Champions-it. Dua ta evitoj në finale, pasi do të ishte një goditje e madhe dhe nuk e di nëse do të isha në gjendje të prisja mirë. Juventusi është një pjesë e rëndësishme e jetës time. Kam kaluar pothuajse 20 vite aty, kam lënë raporte dhe marrëdhënie të rëndësishme dhe kam derdhur çdo pikë djerse për kauzën bardhezi. Por, ka disa momente kur është e drejtë të përqafohesh dhe të kuptosh që është e drejtë të marrësh një tjetër drejtim.”
LARGIMI – “Kam biseduar disa herë me Anjelin dhe mendova se pas një periudhe kaq të gjatë dhe stresuese, kishte ardhur momenti për t’i dhënë fund. Mendova të tërhiqesha, por do e merrja në konsideratë një ofertë për të luajtur në nivele të larta. Nuk e preferoja një kampionat ekzotik. Në maj erdhi oferta e PSG dhe e mora vendimin në bashkëpunim me Juven. U ndamë në mënyrë shumë të bukur dhe ishte një ndarje e ëmbël.”
EKIPI I ALEGRIT – “Më duket Juvja e zakonshme plus Kristiano Ronaldon. Mentaliteti, vlerat dhe grupi historik janë të njëjtët, thjeshtë ka ardhur dhe një lojtar i madh. Pas shumë viteve duke fituar, kishte ardhur momenti për të rikrijuar entuziazëm dhe energji të reja për të vazhduar së fituari. Pas 7 titujve, nuk është e thënë se do të vazhdosh të fitosh, edhe pse je më i forti. Për këtë arsye, e vetmja mënyrë për të rikarikuar energjitë ishte blerja e një lojtari ‘top’.”
KOMBËTARJA – “Donaruma po bën shumë mirë dhe është e drejtë t’i jepet besim djemve të rinj. Mançini po bën një punë shumë të mirë. Acarimi kundër Realit dhe dalja me të kuqe? Dola jashtë mirësisë së Zotit. Shpërtheva në atë mënyrë, sepse bëhej fjalë për një arritje historike. Nëse do të ndodhte përsëri e njëjta gjë nesër, pas tre orësh do i kërkoja falje të gjithëve.”
KAVANI – “Flasim shpesh për Italinë me Edinsonin. Ai është shumë i lidhur me Napolin për dashurinë e popullit napolitan. Nuk është i pandjeshëm ndaj kauzës, por mendoj se me PSG ka mundësinë të fitojë Champions-in. Nuk është se Napoli nuk e ka një mundësi të tillë, por mendoj se deri në verë, Kavani do ta provojë ta fitojë me ne.
PANKARTA E TIFOZËVE TË FIORENTINËS – “Është një temë shumë delikate. Nuk besoj se një tifoz i Fiorentinës e ka shkruar një gjë të tillë. Një njeriu që është më shumë se 15 vjeç dhe shkruan diçka të ngjashme, dora duhet t’i ndalet menjëherë. Një person që shkruan diçka të tillë është dënuar me kohë nga jeta.”