Bruno Telushi, pikëpyetja e madhe e Kukësit

0

Lëvizjet në dalje te Flamurtari do të jenë të shumta dhe “Sport Ekspres” pak ditë më parë ka botuar edhe një listë me lojtarët, të cilët do të largohen përfundimisht nga Vlora. Edhe vetë trajneri Shpëtim Duro një ditë më parë bëri të ditur se janë plot 10 lojtarë, që do të largohen nga Flamurtari. Emrat e lojtarëve që nuk do të jenë më pjesë e skuadrës kuqezi tashmë dihen, ndërkohë që ka ende dilema për disa prej tyre, të cilët kanë luajtur rol kryesor në skuadër dhe kanë qenë titullarë të padiskutueshëm te vlonjatët. Kapiteni Bruno Telushi është një nga ata futbollistë, të cilët ende nuk e kanë përcaktuar të ardhmen. Para disa ditësh, në një prononcim të dhënë për gazetën, ai u shpreh se ende nuk ka vendosur dhe për momentin dëshiron të pushojë. Mes qëndrimit te Flamurtari dhe ofertave në drejtim të tij, pritet që Telushi të vendosë shumë shpejt të ardhmen.

KUKËSI

Telushi mbetet një dëshirë e vjetër e kuksianëve, të cilët kanë shfaqur interes edhe më parë për mesfushorin vlonjat. Situata duket ndryshe, sepse më parë një nga problemet kryesore ka qenë fakti se futbollisti ka qenë nën kontratë, ndërsa tani është i lirë. Një tjetër arsye, që mund ta bindë 26-vjeçarin të zgjedhë kampionët, është trajneri Ernest Gjoka, me të cilin ka raporte të mira, pasi kanë punuar së bashku te Flamurtari. Palët pritet të ulen në bisedime, por është presidenti Safet Gjici ai qe duhet të gjejë kohën për të diskutuar me ish-kapitenin e Flamurtarit. Angazhimet e tij politike e kanë reduktuar disi kohën, por si kampion i Shqipërisë dhe pjesëmarrës në Champions League, tashmë gjërat duhet të vihen në lëvizje, sepse ndeshjet e para janë në fillimin e muajt tjetër.

PARTIZANI

Pas Kukësit, interesim për Telushin ka shfaqur edhe Partizani. Mësohet se klubi i kuq ka pasur kontakte me mesfushorin, madje duke i bërë edhe një ofertë konkrete për t’iu bashkuar të kuqve, duke nisur nga Kupat e Europës. Në fakt, oferta e parë në drejtim të tij ka qenë nga Kukësi, por në mes qëndrojnë edhe Partizani dhe sigurisht Flamurtari.

 

ELTON NIKA

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.