Komisioni i Etikës me sa duket po bëka një hetim më të thellë se UEFA për Skënderbeun, pasi i qenka futur me kokë kësaj historie dhe kushedi, do nxjerrë naftë deri në fund.
Pas shtyrjes së para disa ditëve, sot ka ardhur shtyrja e radhës, pasi vendimi për dosjen Skënderbeu është zhvendosur sërish.
Sipas njoftimit të FSHF-së, Komisioni i Etikës ka vendosur të shtyjë gjykimin e çështjes “Skënderbeu” për të përfshirë në proces edhe materiale të tjera të nevojshme për hetimin. Seanca e radhës është planifikuar për t`u zhvilluar në datën 23 Qershor, ora 13.00.
Se çfarë materialesh të tjera do të përfshihen në proces, askush nuk e merr vesh, por ndoshta UEFA paska harruar ndonje detaj me peshë, ose tek Etika kanë harruar ta përkthejnë.
Gjithsesi, urojmë që të mos përsëriten precedentët qesharakë të viteve të fundit, sepse përndryshe do ta hajë portieri rezervë Erjon Llapanji!