Moise Ken shënoi golin e dytë të Juventusit kundër Kaljarit dhe festa e sulmuesit u shoqërua me gjeste racizmi nga tifozët rivalë. Kjo bëri që të ketë shumë reagime pas asaj që ndodhi, ndërkohë që kundër rrymës shkoi Leonardo Bonuçi. Mbrojtësi i bardhezinjve i tërhoqi vëmendjen të riut.
“Ken e di që kur dikush shënon një gol duhet të festojë me ekipin e tij, por nuk e bëri. Ky është gabimi i tij. Faji ishte 50-50 tek të dyja palët. Ai e di se ka gabuar. Kishte fërshëllima dhe kore raciste pas festës së Ken dhe Matuidi u zemërua. Ne duhet të japim një shembull. Duhet të rritemi mendërisht për të mos ndodhur më këto gjëra”, ishin fjalët e mbrojtësit të Juventusit pas takimit kundër Kaljarit.
Së fundmi Bonuçi kërkon të sqarojë gjithçka dhe për këtë ka bërë edhe një postim në rrjetet socalie. Deklarata e bërë pas ndeshjes solli reagime të ashpra kundër tij dhe mbrojtësi nuk dëshiron ta etiketojnë si një njeri që përkrah racizmin.
“Pas 24 orësh dua të sqaroj gjithçka. U intervistova direkt pas ndeshjes dhe fjalët e mia qartësisht janë keqkuptuar, ndoshta sepse isha shumë i nxituar në mënyrën se si i shpreha mendimet e mia. Orët dhe vitet nuk do mjaftonin për të folur për këtë temë. Unë dënoj me forcë çdo lloj forme të racizmit dhe diskriminimit. Abuzimet nuk janë aspak të pranueshme dhe kjo nuk duhet të keqkuptohet”, shkruan Bonuçi.